Në premierën e emisionit të ri të Arbana Osmanit, “Mirëmbrëma yje”, këngëtari Ledri Vula hapi zemrën dhe tregoi si rrallëherë për jetën e tij personale.
Ai ndau me publikun historinë emocionuese të shtatzënisë së partneres së tij Sara, detaje për raportin e tyre para lajmit të madh, si dhe përjetimet që shoqëruan ardhjen e vajzës së tyre, Poem Blu.
Gjatë intervistës, Arbana e pyeti nëse lajmi i shtatzanisë ka ardhur befas apo ishte një dëshirë e përbashkët e të dyve, Ledri pranoi se ky lajm kishte ardhur në një moment të papritur, kur lidhja e tyre po kalonte një periudhë të vështirë.
“E dëshironim, por erdhi krejt papritur! Një ditë para se të na njoftonte Sara për ekon, kishim vendosur të ndaheshim. Kur më telefonoi, unë isha duke fjetur tek disa miq dhe kisha pirë pak – mendova se isha në ëndërr. Pyetja ime e parë ishte: ‘A do ta mbajmë?’ Ajo ishte e mbushur me gëzim,”- tregoi Ledri, duke përshkruar emocionin e parë të të bërit baba. “Sapo kam shkuar në shtëpi gjyshi ishte duke thyer pjata nga gëzimi”.
Ndërsa kujtonte momentin kur mbajti Poem për herë të parë në krahë, emocionet e tij ishin të dukshme. “Lotët nuk më ndaleshin, ishte momenti më i lumtur i jetës sime” – rrëfeu ai.
Teksa u pyet nga Arbana rreth dëshirës së tij për të qenë “baba i një djali”, Ledri u shpreh se: “Vite me përpara edhe unë kisha qejf të kisha një djalë për shkak se në familje unë jam i vetmi djalë që mbaj mbiemrin Vula, por në momentin kur u zbulua gjinia dhe zbuluam se ishte vajzë, isha tej mase i lumtur”.
Pyetjes “A je ti një baba prezent, duke pasur parasysh karrierën e vrullshme dhe koncertet?”, Ledri iu përgjigj: “Në momentin që vjen Poi në Prishtinë, nuk ka vend për asnjë tjetër – çohem e flej me të”. Sa i përket komenteve negative, Ledri theksoi se zgjedh të jetë përzgjedhës dhe të fokusohet vetëm tek komentet pozitive dhe se nuk i intereson aspak për gjërat që të tjerët kanë për të thënë.
Ledri foli gjithashtu për përditshmërinë e ‘Poit’, duke treguar se vogëlushja është përshtatur në mënyrë të shkëlqyer me jetën mes Tiranës dhe Prishtinës, duke krijuar miqësi të mira në të dyja vendet.
Sa i përket raportit të tij me Sarën, këngëtari u shpreh se privatësia e marrëdhënies së tyre ka qenë e pamundur për shkak të profilit të tij publik. Megjithatë Ledri u shpreh se: “Nëse Sara do ishte më private, ndoshta do të kishim qenë ende bashkë…” – duke lënë vend për nënkuptime lidhur me krisjen e raportit të tyre.