Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar Vladimrr Dlouhy, President i Eurochambres, shoqatë e odave ekonomike evropiane.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Dlouhy është ekonomist i njohur nga Çekia, me përvojë të gjerë edhe në politikë, si ish-ministër i ekonomisë së Republikës Çeke.
Aty bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar rëndësia e krijimit të kushteve sa më të favorshme të të bërit biznes, ofertën e vendit tonë për bizneset e huaja, dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës përmes investimeve të përbashkëta dhe inovacionit.
“Eurochambres, e themeluar në vitin 1958, përfaqëson mbi 20 milionë biznese nëpërmjet 1700 odave ekonomike anëtare në të gjithë Evropën. Në mesin e tyre anëtare është edhe Oda Ekonomike e Kosovës. Në takim morën pjesë gjithashtu Ben Butters, Sekretar i Eurochambres, Lulzim Rafuna, President i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Besim Mustafa, Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Odën Ekonomike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.