Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, është takuar në Paris me Drejtor Global për Çështje të Arsimit të organizatës OECD, Andreas Schleicher, që është i njohur si eksperti që ka zhvilluar tërë sistemin botëror të testeve dhe instrumenteve arsimore PISA.
Hamza ka thënë se me Schleicher ka diskutuar pikërisht për këtë çështje, marrë parasysh rezultatet e dobëta të vendit në PISA, për reformat strategjike që mund t’i implementohen shpejt në Kosovë. Këshillat e OECD dhe të dhënat nga PISA, si dhe analizën e Andreas, Hamza ka thënë se i ka përfshirë tashmë në program.
“..pa dyshim se arsimi do të jetë prioriteti im kryesor, së bashku me ekonominë. Nuk ka ekonomi të zhvilluar dhe kuadro të përgatitura pa reforma thelbësore në arsim. Jam falënderues për takimin që patëm në zyrën kryesore të OECD dhe për ndihmën e paralajmëruar, por jam edhe i gëzuar për punën e madhe që po na pret për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin tonë arsimor.”, ka thënë Hamza.