Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit ka folur për marrëveshjet që dolën nga ky samit dhe për kërkesat që ka pasur gjatë takimeve në kuadër të samitit.
Kurti tha se në takimet që ka pasur ka kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Kurti ka thënë se sa i përket dialogut, kërkesat e Kosovës mbeten të njëjta duke nisur nga dorëzimi i kryeterroristit Radoiçiq.
“Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta, t’i ipet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje, të cilin me shumë përkushtim, përgjegjësi, durim e disiplinë do ta përmbushim për shkak se as nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian.
Ky samit është paraprirë nga gjashtë ministeriale, andaj në këto ditë kanë qenë shumë ministra të Kosovës në Berlin dhe gjithçka në fund u përmbyll me sukses.
Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Radoiçiq që na e vrau heroi Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paramilitar të cilët tashmë ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit në Kosovës. Kërkojmë të tërhiqet letra e ish-kryeministres Bërnabiq dhe Marrëveshja Bazike dhe aneksi i 18 Marsit të nënshkruhen, si garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit në mes palëve. Dialogu ka pasur sukses dhe suksesi është Marrëveshja Bazike dhe aneksi i Zbatimit”, tha Kurti.
Ai foli edhe për takimin me kancelarin Scholz dhe vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës që vijnë në Kosovë.
Kam pasur takim bilateral pas samitit edhe me Scholz. Qëndrimet tona të mirënjohura i kemi theksuar dhe kemi bërë edhe kërkesa më konkrete sikurse është ajo që avionët që aterojnë ose nisen nga aeroporti “Adem Jashari” nuk mund të kalojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet dhe kjo shkakton kosto për kompanitë.
Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës nëse dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm. Andaj në kushtet kur ne kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe kjo gjë nuk është bërë në Bosnjë të Hercegovinës ne morëm vendim për t’i hequr vizat, ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor.
“Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha kryeministri Kurti.