Në panelin qeveritar për mbrojtjen e grave dhe vajzave në mbledhjen e përgjithshme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka folur për punën e bërë në parandalimin e dhunës në familjare si dukuri negative dhe shqetësuese për shoqërinë.
Ajo tha se Qeveria në këtë drejtim ka miratuar strategjinë kombëtare, ku 87 për qind e aktiviteteve janë realizuar ose janë në realizim e sipër.
“Edhe qeveritë e kaluara e kanë parë dhunën në familje si diçka që nuk duhet të ndërhyjë shteti si diçka që është krejtësisht privat, punë ndërmjet burrit dhe gruas dhe s’ka çka bëjmë ne në këtë drejtim. Ne kemi arritur ta thyejmë këtë mendësi, që është e gabuar dhe kjo është thyer për shkak të veprimeve tona që i kemi ndërmarrë gjatë gjithë këtij mandati qeverisës. Qeveria në fillim e ka miratuar strategjinë kombëtare. Në të kaluar strategjitë kanë qenë si dokumente që vetëm janë miratuar dhe nuk është marrë askush me implementimin e tyre. 87 për qind e aktiviteteve që parasheh strategjia kombëtare ose janë zbatuar ose janë në zbatim e sipër”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka folur edhe rreth ndihmës që ofron shteti për viktimat e dhunës familjare dhe zbatimin e dënimeve për kryerësit e veprave të kësaj natyre.
“Dhuna në familje është vepër penale dhe maksimumi i dënimeve është deri në tri vjet. Ani pse dhe fatkeqësisht gjykatat tona ende nuk e kanë shqiptuar as edhe një dënim me maksimumin e asaj çka parasheh kodi penal. Kemi pasur raste kur janë dënuar dhunuesit edhe nën minimumin e asaj që parasheh kodi penal, sepse parasheh dënim me gjobë dhe me burgim, por që ka raste kur janë dënuar vetëm me gjobë. Kemi mundësuar ndihmën juridike falas për viktimat e dhunës dhe tash secila viktimë e dhunës po ashtu, personat e dhunuara gjatë luftës dhe kategori tjera gëzojnë ndihëm juridike që ofron shteti”, ka thënë Haxhiu.