Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian në kapitullin për marrëdhënieve fqinjësore ka evidencuar implikimin e Kryeminsitrit të Kosovës Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni të Veriut.
Raporti i Progresit ka paraqitur të dhëna për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët, ndër të cilët ka thënë se Kosova ka marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut. Raporti evidencon se në muajin maj të këtij viti, Kurti u përfshi në ndikimin e zgjedhjeve në këtë shtet.
“Përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut në maj 2024, kryeministri Kurti u angazhua me përfaqësues të partive opozitare”, shkruhet në raport.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, është shprehur i shqetësuar me gjetjen e Raportit të Progresit në fushën e drejtësisë.
Ai bëri të ditur se raporti i BE-së konstaton dështimin e plotë të reformave në drejtësi dhe sulmet e Qeverisë Kurti ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit.
“Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën konstaton dështimin e plotë të reformave në drejtësi dhe konstaton sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e qeverisë së Kosovës. Ky raport rrëzon përfundimisht propagandën e qeverisë mbi sukseset e saj dhe përpjekjet për të fajësuar opozitën për pengimin e reformave. Kjo qeveri është në fund të mandatit dhe nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e saj në programin për drejtësi”, ka shkruar ai, duke i publikuar disa pjesë të Raportit të Progresit për fushën e drejtësisë.
Anëtari tjetër i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, ka vlerësuar se të gjeturat e Raportit të Progresit janë katastrofale për Kosovën.
Ai ka thënë se të gjeturat e këtij raporti tregojnë se Kosova po keq qeveriset dhe ka bërë regres në shumë fusha.
“A i ka inat edhe BE-ja Albin Kurtit a ku është problemi? Raporti i Progresit i Bashkimit Europian nxori rezultatet dhe siç mund të merret me mend, janë katastrofale për Kosovën. Kosova po keq qeveriset në të gjitha kuptimet dhe ka bërë regres edhe në çështje vitale si liria e medias. Si vend me dëshirë drejt prosperitet europian, i kemi dhënë rëndësi të veçantë kritereve kyçe për BE-në si liria e medias dhe të drejtat e njeriut. Kjo deri në ardhjen e Kurtit. Ky njeri po na e shkatërron vendin dhe përgjigja për të duhet dhe do të jepet shpejt”, ka shkruar Hajdari.
Raporti i Progresit ngre shqetësime edhe për Projekt Kodin Civil, fundamenti i të cilit lejon regjistrimin e bashkësisë civile personave të gjinisë së njëjtë, një problem i cili në Kosovë ka degraduar në gjuhë të urrejtjes.
Në këtë pjesë të raportit fragmentohet se debati i egër gjatë vitit 2023 i zhvilluar në parlament për Projekt-Kodin Civil ka nxitur një varg reagimesh të gjuhës diskriminuese që janë përfshirë edhe në rrjetet sociale dhe në internet.
Kodi Civil, i cili mund t’i hapë rrugë krijimit të legjislacionit për bashkësitë civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë, është në pritje të miratimit. Debatet parlamentare rreth kësaj teme shkaktuan gjuhë diskriminuese dhe të urrejtjes”, thuhet në Raportin e Progresit, ku gjithashtu precizohet se personat LGBTIQ vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe me mungesë të aksesit në shërbime.
KPK, duhet ta përsërit procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit
Raporti i progresit për vitin 2024 ka theksuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) duhet të përsërisë procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, duke zbatuar parimet e transparencës dhe meritokracisë, në një proces të drejtë që garanton demokracii
KPK ka marrë vendim për shpalljen e konkurseve për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga data 16 tetor deri më datën 3 nëntor 2023.
Në prill të vitit të kaluar, KPK kishte votuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të ri të Shtetit, duke siguruar 11 vota në favor të tij, por dekretimin e tij e ka stopuar presidentja Vjosa Osmani
Stopimin e dekretimit të Isufajt për kryeprokuror Vjosa Osmani e kishte bërë nën dyshimin e shkeljeve gjatë procesit zgjedhor.
Dështimi në reformat e drejtësisë nga Albulena Haxhiu
Reforma në drejtësi për këtë mandat ka dështuar. Fajin për këtë Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tërë kohën e ka bartur tek opozita, mediat e Gjykata Kushtetuese. Por Raporti i Progresit për këtë vit sa i përket digasterit të drejtësisë fajin për mungesën e reformës e lë te qeveria e kuvendi. Sipas raportit, dështimi për ta ndryshuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës çka ka qenë ndër –themelet- e reformës, erdhi si pasojë se qeveria e kuvendi nuk menaxhoi siç duhet me këtë proces.
“Vonesat dhe lufta për të hartuar së bashku reformat në drejtësi në përputhje me deklaratën e përbashkët të angazhimit të marsit 2023, tregon një mungesë të përsëritur vullneti për të forcuar sistemin e drejtësisë. Konsultimet për këto reforma dhe për ndryshimet në ligjin për KPK-në u nxituan dhe nuk siguruan një rishikim kuptimplotë. Pavarësisht këshillave të forta të BE-së, Komisioni i Venecias nuk u konsultua nga qeveria dhe Kuvendi për ndryshimet përfundimtare në ligjin për KPK-në dhe për reformat e tjera kyçe. Kjo ndikoi negativisht në cilësinë e legjislacionit dhe përafrimin e tij me qëndrimin evropian.” – thuhet aty.
Dështimi i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme
Raporti i Progresit përmend rrëzimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme nga Gjykata Kushtetuese në muajin korrik,edhe pse Minstrja Haxhiu e ka thënë vazhdimisht se “ligji nuk është rrëzuar në tërësi”
Sulmet ndaj Prokurorëve dhe Gjyqtarëve
Sulmet e Qeverisë ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, madje me emra të përveçëm, janë cilësuar si shqetësuese në Raportin e Progresit
“Qeveria zyrtarët priren të kritikojnë vendimet në raste individuale apo edhe objektive specifike gjyqtarët apo prokurorët, gjë që është shqetësuese.”
Dështimet për reformë në drejtësi që i proklamonte vazhdimisht Albulena Haxhiu, madje nuk ka arritur ti arsyetojë as në forumet e LVV-së.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, derisa fliste në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, për arsyet se përse dështoi reforma në drejtësi, përse s’u bënë ligjet kryesore që kishte premtuar, krejt e çakorduar, vetëm përgjithësoi, hodhi vrerë mbi gjyqsorin, mediat e opozitën. Kohë pas kohe e përdorte emrin “Albin Kurti” e tema si “zajednica”, sa për ta marrë ndonjë duarëtrokitje, që s’po vinin ndryshe.Në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së Albulena Haxhiu kishte dalë tërësisht e ç’orjentuar rreth reformave në drejtësi, madje për të mos ngecur në baltë ishte ndihmuar nga Adnan Rrustemi,por Albulena Haxhiu e kishte bartur diskutimin te Zajednica dhe Lista Serbe që doli pastaj se ishte më shumë se partner koalicioni.
Eksperti kushtetues Blerim Burjani: Kërkohet efikasitet i gjyqësorit
Eksperti kushtetues dhe juridik Blerim Burjani e ka komentuar kërkesën e Komisionit Evropian të precizuar në Raportin e Progresit dhe lidhur drejtësinë në Kosovë ka thënë:
“Kerkohet efikasitet i gjyqësorit ,nxjerrja e vendimeve efikase të nevojshme për të permbyllë procedura duke respektuar standarde.Kosova udhëzohet për reforma në drejtësi, në drejtim të forcimit të sistemit gjyqësor dhe efikasitetin e punës se organeve të drejtësisë, kësaj cështje shumë pak po i kushtojnë vëmendje partit politike. Lufta kundër korrupsioni duhet të ketë efektivitet dhe është paraqitur në Raport si mungesë e vullnetit, normal se organet e drejtësisë sidomos prokuroria duhet të jetë agile apo e gjallë në luftimin e korrupsionit.
Kjo e fundit s’është asgjë e re pasi shumë raporte prej vitesh permendin mungesën e ndjekjes penale ndaj njerëzve qe quhen politikanë apo qeveritarë, deri me tash nuk ka pas vullnet të luftohet korrupsioni i larte, nepotizimi. Kosova deri me tash ka pas dhe ka zbatuar shumë politika korruptuese në tenderë , punësime nepotiste, partiake, rregullime teknokurseve ne sektorin publik dhe civil”, ka thënë Burjani./Telegram News