Shërbimi Klinik dhe Universitar i Kosovës është shprehur se i gjithë stafi i QKUK-së është në rrezik nga qentë endacak.
Reagimi i ShSKUK-së, erdhi pas që drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, ka qenë cak i një sulmi nga qentë endacakë brenda oborrit të QKUK-së.
ShSKUK ka thënë për Gazetën Expres se ka pasur edhe sulme të tjera që kanë kaluar me lëndime trupore, por që në raste kanë mundur të jenë edhe rrezik për jetën.
“Fatkeqësisht, jo vetëm drejtorin e Klinikës së Neurologjisë, por kemi pasur disa raste të sulmeve edhe ndaj mjekëve të tjerë, infermierëve dhe stafit tjetër dhe përcjellësve të familjarëve.” – kanë thënë nga ShSKUK.
Gjithashtu nga ky institucion kanë kërkuar që kjo problematikë të trajtohet me urgjencë nga organet kompetente.
“Fatmirësisht rastet kanë pasur vetëm lëndime trupore, por që kanë pasur mundësi të kërcënojnë jetën. Ne ri apelojmë siç kemi shprehur apelin edhe në komunikata zyrtare që kjo çështje të trajtohet me urgjencë!” – thuhet në përgjigjen e tyre.
“Si QKUK dhe ShSKUK, nuk kemi kompetencë ligjore për trajtim të qenve endacakë, as për ndërmarrje të masave tjera, andaj i jemi drejtuar organeve kompetente duke paralajmëruar rrezikun.” – kanë thënë ndër të tjera nga ShSKUK.