Ukraina ka nisur një sulm me dron në një fabrikë kimike ruse në qytetin perëndimor të Tulës, sipas shërbimit të sigurisë së vendit.
Sipas SBU, uzina kimike Aleksinsky u godit nga të paktën 13 dronë ukrainas, duke rezultuar në shpërthime dhe re tymi pas sulmit.
Një burim konfirmoi gjithashtu dëmtimin e termocentralit Aleksinskaya, duke thënë se është dëmtuar një linjë e transmetimit të energjisë 110 kV, shkruan CNN.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë sulmin në fabrikën e cila shtrihet rreth 200 kilometra në jug të Moskës, të nisur nga Shërbimi i Sigurisë SBU i Ukrainës dhe Forcat e Operacioneve Speciale.
Ndryshe, shërbimi i sigurisë po kryen një “operacion gjithëpërfshirës” kundër objekteve në territorin rus që janë të përfshirë në luftën në Ukrainë.
“Shkatërrimi i depove të armëve, aeroporteve ushtarake dhe ndërmarrjeve që janë pjesë e industrisë ushtarake ruse redukton aftësinë e Rusisë për të terrorizuar vendin tonë”, tha burimi.