Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, ka lëshuar një video ku dëgjohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke premtuar sigurimet shëndetësore.
Deputeti ka pasur kritika për vlerat e renovimeve të klinikave të QKUK-së, duke i quajtur “kontrata kriminale”.
“Kemi të bëjmë me zhvatje të buxhetit dhe konflikt të interesit, kompani që kanë përfituar shumë më shtrenjtë nga çmimi real i tregut. Për heqjen e tepisonit në Gjinekologji ka kushtuar 33 euro, ndërsa heqja e saj në çmimin e tregut është 1 euro. Heqja e dyerve ka kushtuar 22 euro, pra një heqje e derës 22 euro, në çmimin e tregut është 10 euro. Këto kontrata janë kriminale, madje edhe punët që janë bërë kanë mbetur nën hije nga këto veprime”, u shpreh Haxhiu.
Më tej, deputeti iu drejtua ministrit Vitia lidhur me pranimin e infermierëve vetëm me shkollë të mesme.
“Një pyetje zotëri ministër. A e dini kush ka pasur guxim me pranuar infermierë me shkollë të mesme pa pasur fare Shkollën e Mesmes të Mjekësisë. Është zonja Elvira, e cila është punësuar në Spitalin e Mitrovicës si infermiere pa shkollë të mesme të mjekësisë, është motra e një asamblistit të VV-së në Vushtrri”, u shpreh Haxhiu.
Por për gjitha këto akuza, ministri Vitia ftoi Prokurorinë t’i hetojë nëse janë të vërteta.
“Ju më akuzuat mua dhe unë duhet të reagoj për të gjitha ‘kompanitë kriminale’ që po bëjnë krime qe kanë etabluar bëni lypni dokumente zyrtare dhe krejt dërgoni në Prokurori dhe unë i bëj ftesë prokurorisë që të filloj me hulumtime. Nepotizëm po ku ka mund të ketë më shumë se në kohën e PDK-së, me u bë drejtor një simpatizant i VV-së”, tha Vita.