Shërbimi veterinar i Kosovës ka filluar kapjen e organizuar dhe trajtimin e qenve endacakë në kryeqytet. Aksioni për pastrimin e tyre zhvillohet kryesisht rreth orës 03.00 në mënyrën më të duhur profesionale prej nga dërgohen në Qendrën e Trajtimit me kapacitet për mbajtje dhe trajtim të 350 qenve.
Ky është programi i Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK) për pastrimin e kryeqytetit nga qentë endacakë që ka qenë problem i madh për qytetarët.
Megjithatë, prania e madhe e qenve endacakë në të gjitha rrugët e Prishtinës, veçmas në sheshin e kryeqytetit, nuk ka kaluar pa pasoja për qytetarët.
Janë kafshuar 500 qytetarë në rrugët e Prishtinës të cilët janë trajtuar në klinika emergjente.
Të premten në emisionin e mëngjesit të Radio Dukagjinit Bekim Brestovci nga AVUK, u ka kërkuar falje qytetarëve të kafshuar dhe traumatizuar të kryeqytetit nga lufta me qentë endacakë.
Qentë Endacakë do të dërgohen në Qendrën e Trajtimit të Qenve Endacakë që u hap të mërkurën në Prishtinë nga kryetari Përparim Rama.
Qytetarët mund të marrin pak më lirshëm frymë nga prania e shumtë e qenve në gjithë kryeqytetin, duke filluar nga sheshi qendror e deri te Biblioteka Kombëtare
Sipas një njoftimi të bërë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kjo qendër është e furnizuar me pajisje moderne dhe gjithashtu ka veterinarë dhe staf mbështetës.
Një program tjetër që ishte filluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2017, ka dështuar dhe qentë e grumbulluar aty, janë liruar, pasi programi kërkonte miliona euro investime, ndërsa kishte filluar me 1.3 milionë, me të cila janë trajtuar rreth 14 mijë qen.
Afër 5 mijë qen endacakë sillen aktualisht nëpër Prishtinë të cilët rrezikojnë qytetarët ankesat e të cilëve janë të përditshme.
Programi i AVUK-ut për grumbullimin dhe trajtimin e qenve endacakë është ambicioz dhe në fazën pos trajtimit dhe socializimit të qenve, ata mund të të merren nga qytetarët të cilët do të paguhen me nga 50 euro në muaj për ushqim dhe kujdes dhe sipas AVUK, kërkesat për adoptimin e qenve janë të shumta.
Qendra e re për grumbullimin dhe trajtimin e qenve endacakë ,nuk e zgjidh problemin e kryeqytetit nga qentë, por disa rrugë dhe kryesisht sheshi i kryeqytetit do të zhvendoset nga fokusi i qindra turistëve të cilët vizitojnë Prishtinën në mënyrë të organizuar./Telegram News