Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale pa mbështetjen e opozitës e ka dërguar në seancë projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhi Avdyli kërkoi që ky projektligj t’i tejkaloj aspektet partiake dhe të marr mbështetje, pasi vlerësoi se ky projektligj i ka adresuar të metat e projektligjit të kaluar për sigurime shëndetësore.
Ndërsa, deputeti nga LDK, Armend Zemaj tha se si parti nuk e mbështesin këtë projektligj.
Ai tha se ky projektligj nuk është i qëndrueshëm dhe nuk ofron zgjidhje për sigurime shëndetësore. Sipas tij ky ligj është vetëm për vota elektorale.
“Nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për sigurime shëndetësore, më shumë mund të themi se është përgatitur për të mbuluar dështimin katër vjeçar të qeverisë në sektorin e shëndetësisë dhe ky ligj nuk mund të improvizohet në fund të mandatit sa për të përmbushur agjendën legjislative se gjëja po e dërgojmë ligjin për sigurime shëndetësore në muajin e fundit të mandatit…Koha nuk është sa për të improvizuar por ne duhet të jemi shumë më serioz jo vetëm të përdorim për fushatë ashtu siç edhe ka të meta nga viti 2014 edhe sot pse ky ligj nuk është i zbatueshëm, duhet të kemi qasje më serioze”, theksoi Zemaj.
Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që Qeveria ta tërheqë projektligjin e propozuar.
Deputeti, Shemsedin Dreshaj tha se të gjitha premisat dërgojnë në dështimin e këtij ligji.
“Koha që na është sjell ky është e papërshtatshme, është fundi i vitit, është koha ndoshta krejt veprimet tonat do të mbesin në letër dhe nuk do të gjen kurrfarë zbatimi. Parakushtet aktuale që janë është që ky ligj shumë vështirë do ta ketë të përjetësohet në pjesën praktike. Mendimi im është që ky ka ardhur vonë dhe nuk e ka vendin që të amandamentohet. Ky projektligj që është dërguar tek ne nuk është projektligj i ri, por është projektligji i vjetër me 6 amandamentime, intervenimet janë bërë në 6 nene, 4 prej tyre sqarohen dhe dy prej tyre ndërrohen. Nuk bëhet fjalë për ligj të ri dhe nuk janë prekur dy nenet e para që përfshihet TVSH që ndoshta ka qenë dashur të jetë intervenimi kryesor në këtë propozim”, deklaroi deputeti Dreshaj.