Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë ka kërkuar procedimin e pagave të punonjësve të arsimit në Viti, të cilëve ende nuk u ka dalë paga e shtatorit.
“SBASHK iu gëzua lajmit se u krijua mundësia për procedimin e pagave të punëtorëve të arsimit, por informacionet flasin se kjo gjë nuk ndodhi edhe për punëtorët e arsimit në komunën e Vitisë, të cilët padrejtësisht ende kanë mbetur pa pagën e muajit shtator. SBASHK-u pa dashur të ndalet e të emëroj fajtorin i drejtohet Ministrisë së Financave dhe institucioneve qendore e lokale që ta bashkëbisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje të duhur në mënyrë që punëtorët e arsimit në Viti të marrin që sot pagat e shtatorit”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim bëhet e ditur se kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, do të shkojë sot në Viti, ku do të takohet me anëtarët e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar, për të folur në lidhje me situatën e krijuar.
“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj me anëtarë të stafit qendor në orët e pasdites do të shkojë në Viti dhe do të takohet me anëtarët e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për këtë komunë për të debatuar për situatën e krijuar e për të marrë vendime për veprime konkrete”, thuhet tutje.