Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë nga sot deri më 26 shtator.
Në njoftim thuhet se kjo do të bëhet “për arsye të sigurisë dhe që të ruhet paqja, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”.
“Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit njofton opinionin se manastiri i Banjkës do të jetë i mbyllur për vizitorë të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të ruajtur paqen, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”, thuhet në njoftim.
Më 24 shtator bëhen 1 vit nga sulmi i armatosur i terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit.
Pasi e vranë rreshterin Afrim Bunjaku, terroristët serbë u patën strehuar brenda Manastirit.
Së fundmi, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Milan Radojçiq.
Sulmi në Banjskë ishte një sulm i armatosur i terroristëve serbë kundër njësive speciale të Kosovës që ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023.
Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe për rrjedhojë edhe disa terroristë serbë.