Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar në lidhje me deklaratat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, i cili kishte thënë se Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit, në të cilën Serbia shprehte rezerva për obligimet nga marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
Bajqinovci e ka quajtur Lajçakun manipulues, i cili sipas tij, po e dëmton procesin e dialogut.
“Manipulimi nga zyrtari i lartë i BE-së, Miroslav Lajçak, tashmë është bërë i dukshëm për të gjithë, pas deklarimit të tij se Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit. I emëruar si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, në realitet po del se roli i tij po anon në favor të një pale. Një lehtësues duhet të jetë neutral, por sjelljet e tij po dëmtojnë jo vetëm besimin në procesin, por edhe vet parimet e drejtësisë dhe barazisë në dialog”, ka thënë Bajqinovci në Facebook.