Në prill të këtij viti, Kosova nënshkroi një marrëveshje kredie me Bankën Botërore në Washington DC, e cila i siguron vendit 90 milionë euro me një normë interesi prej 0%.
Kështu ka thënë Ministri i Financave Hekuran Murati, ku ka thënë tutje se kjo marrëveshje, e cila ka një afat kthimi prej 12 vjetësh, është rezultat i angazhimeve dhe reformave të qeverisë kosovare në kuadër të programit me Bankën Botërore.
“Në një periudhë kur shumica e vendeve paguajnë interesa të larta për huatë e tyre, Kosova ka arritur të marrë këtë kredi pa interes, duke kursyer kështu mbi 50 milionë euro në kamatë për gjatë periudhës së marrëveshjes”, ka thënë Murati.
Marrëveshja, që ka kushte jashtëzakonisht të volitshme për vendin, është në pritje të ratifikimit në Kuvend që nga maji i këtij viti. Nesër, ajo do të jetë në rend dite në seancën parlamentare, konkretisht pika 6. Qeveria shpreson që edhe deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim, për të siguruar ratifikimin e marrëveshjes dhe përfitimet për vendin.