Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të mbajë sot një konferencë për media, në të cilën, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në këtë institucion, do të flitet për sulmin e armatosur në Banjskë.
Deri më tash, nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur lidhur me të.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e sulmit, por ajo e mohoi përfshirjen.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.
Ajo e ngarkon Radoiçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.