Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka cilësuar të pakuptimtë lavdërimin e Kurtit për KEK-un.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Kurti e ka gabuar audiencën pasi ai i drejtohet përfituesëve të KEK-ut e jo KEK-ut dhe punëtorëve të tij.
“I çuditshëm dhe krejt i pakuptimtë lavdërimi i Kurtit për KEK-un dhe sukseset e tij. Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike, pasi ai qartë shihet se e ka gabuar audiencën. Kur e lexon postimin e tij, të jep përshtypjen sikur ai u është drejtuar jo KEK-ut dhe punëtorëve të tij, por atyre që janë përfitues të mëdhenj të KEK-ut: pra, atyre që i ndjek ligji për afera në KEK dhe blerje të energjisë, atyre që marrin rrogë me kontrata të fshehta nga EPS, por edhe të gjithë dilerëve të energjisë në rajon. Jo KEK-ut, jo, se me asgjë s’ia kanë parë hajrin Albin Kurtit, bile as me bojlerë as me spoilerë”, tha Haradinaj.
Kryetari i AAK-së tha se Kurti po të ishte burrë do të tregonte se sa qindra miliona i ka importuar që nga koha kur është kryeminister dhe nga kush.
“Përveç 21 milionë euro dëmshpërblim që ka paguar, po të ishte burrë Albin Kurti, ai do të tregonte sa qindra miliona euro ka importuar që nga koha kur është Kryeministër, me çfarë çmimi dhe nga kush. Kurti, këtë ua ke borxh njerëzve të këtij vendi. Është e sigurt se ai nuk do të tregojë për shumat, e edhe shitësit e rrymës do të përpiqet t’i fshehë, por ai duhet të dijë që pushtetet nuk janë të përjetshme”, shtoi ai.
Më tej, Haradinaj tha se do të ndodhë shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarët pas anulimit të projektit Kosova C dhe prej refuzimit të gazit amerikan.
“Refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarin, aty do të jenë. Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg. Ndryshe, keq do të jetë për gjithë vendin”, tha tutje Haradinaj. /TelegramNews/