Rritja ekonomike prej 3.9 % në mandatin aktual të Qeverisë Kurti, është në shpërputhje me standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës, meqë inflacioni dhe rritja e çmimeve janë shumëfish më të larta.
Rrita e konfirmuar ekonomike prej 3.9%, është shifër që po kontestohet për saktësinë matëse, por edhe Banka Botërore dhe institucionet financiare e monetare e konfirmojnë të njëjtën, derisa Qeveria Kurti paralajmëronte rritje rreth 6.0%.
Megjithatë rritja prej 3.9% ekonomike ,nuk e përmirëson jetën qytetare në Kosovë, karshi inflacionit dhe rritjes së çmimeve.
Se sa ka mbetur prapa shteteve të ish Jugosllavisë Kosova që ndante të njëjtën hapësirë gjeopolitike dhe cilat janë pengesat e reja të CEFTA-s ndaj Kosovës duke paralajmëruar edhe përjashtim nga Samiti i Berlinit nëse Kosova nuk balancon dinamikën ekonomike me shtete në rajon, ekskluzivisht për gazetën Telegram News, ka folur eksperti i ekonomisë dhe financave Mr.sc i ekonomisë Selatin Retkoceri. i cili në detaje ka analizuar ecjen ekonomike të Kosovës në Qeverinë Kurti dhe kohën kur Kosova arrin te shtetet e rajonit, nëse lëviz me këtë ecje.
“Rritja ekonomike dhe inflacioni në Kosovë për 4 vjet të Qeverisë Kurti, Bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave ( MF-së), sipas zhvillimit ekonomik në Kosovë për këta 8 muaj është diku 3.9 deri 4%, derisa shkalla e inflacionit gjithnjë sipas ASK-së është 2.4%.
Banka Botërore ka paraparë që Kosova do ta përmbyllë vitin 2024 me shkallë të zhvillimit ekonomik apo PBB prej 3.5 deri 3.7%.
Treguesit e parashikuar gjithnjë sipas Bankës Botërore (BB), mund të ndryshojnë varësisht nga tensionet gjeopolitike apo zhvillimit të luftës Rusi-Ukrainë, pastaj me zgjerimin e frontit të luftës në lindjen e mesme ndërmjet Izraelit dhe HAMAS-it, me mundësi të mëdha të përfshirjes në luftë edhe të shteteve tjera të lindjes kundër Izraelit si: Irani, Jordanisë, Libanit e të ndonjë shteti tjetër të lindjes së mesme.
Gjithsesi se në rënien e shkallës së zhvillimit ekonomik ndikojnë edhe politikat e brendshme të qeverisë, të cilat sjellin rreziqe për vet vendin por edhe ngadalësojnë proceset e integrimit dhe aderimit në strukturat euroatlantike e në BE.
Po konsiderojmë se kjo shkallë e zhvillimit ekonomik prej 3.9% është e vërtetë, tani më rrjedh pyetja logjike se a mund të jemi të kënaqur me këtë nivel të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto (PBB-GDP)?
Përgjigja është jo.
Gjithsesi se nuk mund të jemi të kënaqur me një nivel të tillë.
Kalkulimet matematikore të zhvillimit flasin se Kosovës i duhen edhe plot 100 vjet për ta zënë një vend të BE-së si për shembull Slloveninë e cila dikur ishte njëri prej 8 elementeve konstituivë të ish-Jugosllavisë ku bënte pjesë edhe Kosova.
Shkalla e zhvillimit ekonomik prej 3.9% nuk i përmbushë aspiratat dhe pritjet e qytetarëve, nuk e përmirëson standardin e jetesës, nuk e rritë mirëqenien, nuk zvogëlon shkallën e papunësisë përveç asaj që qytetarët duke ikur jashtë vendit krijon përshtypjen se po zvogëlohet papunësia në vend.
Inflacioni në Republikën e Kosovës që nga viti 2011 kur ishte 7.4%, asnjë vit tjetër, nuk ka qenë më i lartë se sa në këto 4 vitet e fundit të qeverisë Kurti.
Shkalla e inflacionit gjatë 4 viteve të fundit, pra të qeverisë në fuqi ishin: viti 2021, 3.4%, 2022, 11.6%, 2023, 4.9% dhe në këtë 8 mujorin e fundit të 2024 shkalla mesatare e inflacionit 2.4%. Nëse e bëjmë një kalkulim jo shkencor siç di ti bëjë kjo qeveri, pra e mbledhim shkallën e inflacionit dhe të zhvillimit ekonomik për 4 vite, të cilat i përpjestojmë për numrin e viteve, atëherë do ta fitojmë rezultatin mesatar prej 5.6% inflacion në këto 4 vitet e qeverisjes aktuale”, ka thënë Retkoceri.
Sarrazini akuzon Qeverinë Kurti për bllokim të tregut
Analisti i ekonomisë financiare Selatin Retkoceri duke folur për rreziqet e Kosovës me largim nga CEFTA dhe Samiti i Berlinit ka thënë se Kosova me një qeveri të tillë nuk po lëviz përpara kah BE-ia dhe lidhur me këtë stagnim thotë:
“Lajmi më i keq, apo kërcënimi që na vjen nga Manuel Sarrazin – Emisari Gjerman për Ballkanin Përendimor, është se ai akuzon Qeverinë për mos dakordim në tregun e përbashkët rajonal apo CEFTA.
Sarrazin ka akuzuar Kurtin për mos bashkëpunim, mos koordinim, bllokim të tregut të përbashkët rajonal, ngadalësim në planin e ri të rritjes, pengesa administrative në qarkullimin e mallrave e të njerzëve .
Z.Sarrazin kërcënon apo ia tërheqë vërejtjen Kurtit, duke i sugjeruar atij dhe qeverisë që ai drejton, që të ndalojë me këto bllokada të proceseve integruese, ose në të kundërtën, Ballkani Perëndimor do të ecë para drejt integrimit, por duke e përjashtuar Kosovën nga grupi i 6 shteteve që planifikohej të hynin në BE në të njëjtën kohë.
Gjithashtu, emisari gjerman kërcënon apo paralajmëron se shumë lehtë Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, duke humbur mundësitë e mëdha të përfitimeve nga 6 miliardëshi i ndarë për ndihmë zhvillimore e integruese të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë analisti dhe eksperti i ekonomisë financiare Mr. Sc. i ekonomisë financiare Selatin Retkoceri./Telegram News/S.Krivaça