Sali Berisha nuk mungoi as mbrëmjen e së enjtes të mbajë fjalën e tij të përnatshme nga ballkoni i shtëpisë për mbështetësit e tij. Këtë herë, Berisha reagoi për deklaratat e Ramës nga QSUT-ja, ku u hap spitali ditor brenda kësaj qendre.
Teksa foli për ambientet e reja, Rama tha: “Këtu është si jashtë shtetit”. Kjo deklaratë e kryeministrit është komentuar nga Berisha, i cili shprehet se “nga Shqipëria janë larguar 66% e banorëve, ndërsa Rama flet si diktator te një grup mjekësh që i kishte shpallur autorë të krimeve kundër njerëzimit”, shkruan A2 CNN.
Ndër të tjera, Rama tha se do të operohej për shkak të një problemi me hernien inguinale, ndërsa Berisha i quan këtë një mënyrë për të mbuluar skandalet e qeverisë.
“Sot pas aferave më të rënda, aferës ndërkombëtare të trafikut të helmeve nga Edi Rama dhe ministrat e tij. Sot pas lajmit më tronditës, por edhe më të zi që shqiptarët kanë dëjgjuar në të tërë ekzistencën e tyre, largimin nga Shqipëria të 66% të banorëve të këtij vendi.
Foli më në fund Edi Rama. Foli njëlloj si çdo të fliste Noriega, siç do të fliste Maduro, siç do të fliste Lukashenko, siç do të flisnin diktatorët e pamëshirë ndaj qytetarëve të tyre.
Ai foli i rrethuar nga një grup mjekësh dhe infermierësh, të cilët një muaj më parë i kishte shpallur autorë të krimeve kundër njerëzimit për faje, për krime që lidheshin direkt me krimet e tij, me vjedhjet e ministrave të tij.
Sot foli gjatë e gjatë se do të operohej për dhjamin në kofshë. Sikur dhjami i tij qenka problemi i shqiptarëve, sikur operacioni i tij për dhjam qenka halli i madh i çdo shqiptari.
Unë jam mjek, dhe për të sëmurin kam vetëm urim, por për kriminelin dhe diktatorin kam vetëm damkosje!
Dhe ja ku po ta them Edi Rama, se me asnjë lloj operacioni apo ndërhyrje nuk mund të mbulosh në këtë lojë me ndjenjat atë që iu ke bërë ti shqiptarëve. Edi Rama sot shqiptarët prisnin t’u flisje për boshatisjen e tmerrshme që i bëre vendit.
Edi Rama, pikërisht kjo boshatisje më e madhe se në çdo pushtim, se në çdo fatkeqësi natyrore e Shqipërisë, kjo braktisje e vendit nga 2/3 e popullatës së Shqipërisë. Pikërisht për këtë je cilësuar nga publicistë të njohur në Gjermani dhe në botë, si Pashiqi, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit, domethënë si Pashiqi i Tiranës.
Por meqënëse ti, zgjodhe dhjamin personal për të mbuluar me propagandë trafikun ndërkombëtar të lëndëve toksike që bën ti dhe klani yt qeveritar. Zgjodhe dhjamin personal për të mbuluar largimin nga Shqipëria të 2/3 të banorëve të saj, boshatisjen.
Vetëm nga viti 2014-2022, sipas Instat janë larguar vetëm në hapësirën e Shengenit 980 mijë banorë. Po të bashkohen të larguarit në SHBA, Britaninë e Madhe, Kanada, Norvegji, Zvicër, Lindje e Mesme, në të katërta anët e botës, vetëm në 8 vitet e tua të zeza u larguan nga Shqipëria 40% e shqiptarëve.
Në të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare ky është gjenocid i kryer ndaj shqiptarëve. Ndaj edhe unë ju ftoj miq, ta lemë të merret me dhjamin e tij”, u shpreh Berisha.