Shefi i politikës së jashtme të BE-së theksoi të enjten nevojën për të diskutuar për heqjen e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina ndaj objektivave ushtarake brenda Rusisë.
Përpara se të merrte pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, Josep Borrell u tha gazetarëve se Ukraina “ka treguar shumë guxim strategjik duke nisur sulmet brenda territorit rus”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i cili gjithashtu po merr pjesë në takim, sigurisht që do t’u shpjegojë ministrave të BE-së pse ata duhet të heqin “kufizimet në përdorimin e armatimit kundër objektivave ushtarake ruse në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha ai.
Borrell kujtoi se ai kishte qenë hapur në favor të shqyrtimit të temës, duke vënë në dukje se armatimi i ofruar nga evropianët në Ukrainë “duhet të përdoret plotësisht” dhe kufizimet duhet të hiqen “në mënyrë që ukrainasit të mund të shënjestrojnë vendet nga ku Rusia po i bombardon, përndryshe armatimi është i padobishëm”.
Kuleba, nga ana e tij, mbështeti vërejtjet e Borrell. “Një nga çështjet e pazgjidhura në axhendën tonë është leja që Ukraina të godasë objektiva legjitime, e theksoj legjitime, ushtarake në thellësi të Rusisë, duke përfshirë “fushat ajrore” ruse nga ku nisen bombarduesit strategjikë dhe taktikë për të sulmuar forcat ukrainase dhe infrastrukturën civile”, tha ai.
“Nëse merren vendime, Ukraina është e suksesshme në terren. Nëse nuk merren, atëherë mos u ankoni për Ukrainën, ankohuni për veten tuaj”, tha Kuleba dhe shprehu keqardhjen për boshllëqet midis “shpalljes së ndihmës ushtarake dhe dhënies aktuale të ndihmës ushtarake”.
“Ndonjëherë këto boshllëqe janë tepër të gjata. Nuk mund të bësh planifikim ushtarak. Ju nuk mund të llogarisni se në çfarë mund të mbështeteni dhe në çfarë nuk mund të mbështeteni në fushën e betejës”, tha ai./kp