Vendimi për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet në seancën plenare të 12 shtatorit.
Mes debateve dhe ironive, PS-PD ranë në konsensus në këtë datë gjatë mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit.
Megjithëse 28 ligjvënës të opozitës kishin kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vendosi që më parë të thërrasë Këshillin e Legjislacionit. Edhe pse vendimi nuk u prit mire nga demokratët, ata kanë vendosur të mos braktisin betejën për t’i hequr mandatin deputetes socialiste Olta Xhaçka të vënë nën akuzë për përfitim të parave publike përmes bashkëshortit investitor strategjik.
Për të shmangur çdo tentativë për zvarritje nga ana e mazhorancës socialiste, demokratët kërkuan që kryeparlamentarja Spiropali të përfshinte në seancën e 2 shtatorit projektvendimin për dërgim menjëherë në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Xhaçkës.
Kjo datë u diskutua gjatë mbledhjes, por nuk u ra dakord për të.
Pjesë nga debati:
Çupi: Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Çupi: Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato.
Bushka: Për të ecur me ekzekutimin e Gjykatës Kushtetuese kryetares i propozohet shkurtimisht që ky projekt vendim të përfshihet në seancën plenare më të afërt.
Kryetari i Grupit të PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese dhe shtetin ligjor.
Bardhi: Edi Rama nëpërmjet Olta Xhaçkës, po mbron korrupsionin dhe po i jep mesazh drejtësisë se nuk mund të marrë vendime pa lejen e tij, ndryshe ato nuk zbatohen.
Bardhi: Refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që cenon themelet e shtetit demokratik, humb besimin e publikut te shteti dhe vendos në diskutim edhe vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi: Mbrojtja e Olta Xhaçkës dhe sfidimi i drejtësisë, është mesazhi më negativ që mund të jepët për një vend që pretendon të jetë demokratik, vend kandidat për në BE dhe vend anëtar i NATO-s.
Bardhi: Gjykata Kushtetuese e detyron Kuvendi e Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë menjëherë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatë.
Bardhi: Pretendimi i mazhirancës që deputetët janë të lirë të votojnë si të duan është antikushtetuese. Deputetët nuk janë mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Bardhi: Keni kryer krim. Moszbatimi i një vendimi të GJK është vepër penale./tch