Ujërat Termale të Bënjës janë shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar turistik në vendin tonë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga Ujërat Termale të Bënjës.
Kumbaro u shpreh se Ujërat Termale të Bënjës janë monument natyre dhe destinacion që frekuentohet nga qindra vizitorë çdo ditë.
Ujërat termale të Bënjës ndodhen rreth 13 km larg qytetit të Përmetit. Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit të Langaricës.
Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj.
Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe kanioni i Lengaricës dhe Ura e Katiut.