Brazili është tani “në një luftë kundër zjarreve”, tha ministrja e Mjedisit e vendit, Marina Silva, pasi tani është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në 45 qytete në shtetin e San Paulo.
Pas një takimi për përballimin e krizës, ku mori pjesë edhe presidenti Luis Inacio Lula da Silva, ministrja theksoi se kanë nisur hetimet nga policia federale për të zbardhur shkaqet e zjarreve që kanë përfshirë rajonin ditët e fundit.
“Policia do të hetojë dhe qeveria do të punojë me të gjitha shtetet për të shuar zjarret,” tha Lula.
Një nga zonat më të prekura është ajo e Hibeiru Preto, një qytet me më shumë se 700.000 banorë, rreth 300 kilometra nga San Paulo, në zemër të zonave të mëdha bujqësore.
“Mbrëmë u zgjova rreth orës 19:00 dhe e kisha shumë të vështirë të merrja frymë. Unë kam jetuar këtu për 32 vjet dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”, tha Carlos Hodriges, 66 vjeç.
Banorët u detyruan të evakuojnë shtëpitë e tyre në disa zona ndërsa flakët afroheshin.
Fluturimet janë anuluar dhe rrugët janë mbyllur për shkak të zjarreve, ndërsa të korrat janë shkatërruar dhe shumë bagëti kanë ngordhur.
Sipas të dhënave të mbledhura nga satelitët e Institutit Kombëtar të Kërkimeve Hapësinore (INPE), shteti i San Paulos po përjeton gushtin e tij më të keq me zjarret që nga fillimi i regjistrimeve në 1998.
Qeveria e Lulës e lidh situatën me ndryshimet klimatike. “Askush nuk mund të vazhdojë të mohojë krizën klimatike. Ne duhet të luftojmë ndryshimet klimatike me zgjuarsi, me investime dhe financime, duke përfshirë financime nga vendet e pasura që kanë shkatërruar tashmë pyjet e tyre. Jugu global nuk mund ta përballojë i vetëm këtë barrë”, tha presidenti brazilian./CNN