Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjatë periudhës prej 14-19 gusht 177 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Në një njoftim në Facebook, IKSHPK ka bërë të ditur se vaksinimi do të luaj efektin mbrojtës.
“Gjatë periudhës 14 -19 gusht 2024, në IKSHPK janë raportuar 400 testime të kryera për SARS COV-2, prej të cilave 177 raste kanë rezultuar pozitiv, ndërsa Klinika Infektive e QKUK-së ka raportuar për 2 të vdekur gjatë kësaj periudhe nga COVID-19. IKSHPK rithekson se vaksinimi vazhdon të jetë masë efektive mbrojtëse, veçanërisht ndaj formave më të rënda të sëmundjes dhe, për shkak të zbehjes së imunitetit me kalimin e kohës, individët në rrezik më të lartë dhe sëmundje kronike, rekomandohet të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK rekomandon, gjithashtu:
Mbajtjen e higjienës, veçanërisht të duarve, shmangien e kontakteve me personat e infektuar, shmangien e tubimeve të mëdha dhe sidomos ato në ambiente të mbyllura.
Ngritjen e vigjilencës nga ana e punëtorëve shëndetësore me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të infeksioneve.
Të respektohet bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse si dhe reduktimi i vizitave të familjarëve në institucionet shëndetësore që merren me trajtimin e rasteve me COVID-19.
Rastet ambulantore dhe të hospitalizuara në ShSKUK, rekomandohet të analizohen nga ana e konziliumit të mjekëve.
Personat me simptoma të testohen.
Personat me imunitet të komprometuar të ri-vaksinohen!
Gjatë ditës drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj ka deklaruar se dy pacientët të cilët kishin vdekur dy ditë më parë në këtë klinikë nga Covid-19, kanë pasur edhe sëmundje tjera të rënda kronike.