Duke filluar nga sot, e mërkurë prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve dhe mjeteve shkollore nga Qeveria e Kosovës, përmes platformën E-Kosova.
Kështu ka njoftuar dje ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencë për medie.
Nagavci tha se aplikimi në platformën e-Kosova do të jetë edhe më i lehtë sivjet, sepse të gjithë prindërit që kanë aplikuar vitin e shkuar, i kanë tashmë ato llogari aktive.
“Subvencionojmë edhe tekstet edhe mjetet mësimore nëpërmjet një procesi i cili është plotësisht transparent, i cili e shmang mundësinë e çfarëdo keqmenaxhimi apo keqplanifikimi që ka ndodhur në të kaluarën. Aplikimin në E-Kosova, prindërit mund ta bëjnë që nesër, pra nesër hapet platforma dhe proceduralisht ne besojmë që do të jetë një proces shumë më i lehtë, sepse të gjithë prindërit të cilët vitin e kaluar kanë hapur platformën E-Kosova, tashmë i kanë ato llogari aktive dhe për të lehtësuar këtë proces edhe më shumë për prindërit, ne do të lansojmë edhe një video që do të japë të gjitha detajet për mënyrën e aplikimit”, tha ajo.
Derisa bëri me dije se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, subvencionimi do të jetë në vlerën prej 80 eurove, ndërsa për nxënësit nga klasa e gjashtë deri të nëntën, 110 euro.
“Sivjet i kemi 218 mijë e 696 nxënës nga klasa 1-5 dhe për nxënësit nga klasa 1-5, subvencionimi i teksteve dhe mjeteve mësimore do të jetë në vlerën prej 80 eurove, ndërsa për nxënësi të klasave 6-9 subvencionimi do të jetë në vlerën prej 110 eurove”, tha tutje ajo.