Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në shoqëri të presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka vizituar sot stadiumin “Fadil Vokrri”.
Rikthimi i këtij stadiumi në funksion pas rinovimit u testua me sukses gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2025 ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës.
Ndeshja u zhvillua pa asnjë problem teknik dhe fusha u vlerësua me notë të lartë, duke siguruar kështu gatishmërinë e saj për të pritur ndeshjet e ardhshme të rëndësishme.
Ministri Çeku dhe presidenti Ademi inspektuan nga afër punimet e realizuara dhe shprehën kënaqësinë e tyre për përfundimin e suksesshëm të këtij projekti.
Gjatë vizitës në stadium, ministri Çeku dhe presidenti Ademi patën një takim me përzgjedhësin e Kombëtares, Franco Foda dhe me grupin e tifozëve të Kombëtares “Dardanët”.
Diskutimet u përqendruan në përgatitjet për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve dhe organizimin e tyre sa më të mirë, me synimin për të krijuar një atmosferë mbështetëse dhe motivuese për ekipin kombëtar.