Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) njofton se pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka emëruar Zana Spahiun në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të transmetuesit publik.
“Ky vendim i bordit ka ardhur pas paraqitjes së dorëheqjes së Ahmetxhekaj nga posti i drejtorit të RTK-së më datën 23.05.2024.
Sipas kërkesës, dorëheqja do të jetë valide nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së”, thuhet në njoftim.
Bordi i RTK-së e kishte emëruar Ahmetxhakaj ushtrues detyrës të drejtorit të përgjithshëm më 19 janar 2022, pas shkarkimit të ish-drejtorit Kastrati, ndërkaq pas një procesi transparent dhe meritokratik, ai është zgjedhur dhe emëruar më 20.06.2022 drejtor i përgjithshëm i RTK-së.
“Bordi i RTK-së falënderon z. Ahmetxhekaj për bashkëpunimin e deritanishëm. Me z. Ahmetxhekaj Bordi i RTK-së ka pasur një bashkëpunim korrekt, deri në momentin kur janë paraqitur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Spahiu tani ushtruese e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, është e diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit e Prishtinës . Punën si juriste në RTK që nga viti 2010