Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një njoftim pas takimit të sotëm të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftim thuhet se diskutimet u përqëndruan në formalizimin e Marrëveshjes Bazike dhe Planin e Sekuencimit për zbatim të marrëveshjeve të tjera si Marrëveshja e Energjisë dhe deklarata për personat e zhdukur me dhunë.
“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit.
Takimi i sotëm, zgjati më shumë se 6 orë, nisi me takime bilaterale, ndërsa u përmbyll me atë trilateral.
“Vazhdimi i procesit mbetet tek përpjekja për të gjetur rrugën përpara në arritjen e dakordimit rreth formalizimit dhe planit të sekuencimit për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të cilën BE-ja e ka shpallur si ligjërisht të obligueshme në tërësinë e saj dhe aneksit të zbatimit, që pikë filletare duhet ta ketë formalizimin e marrëveshjes mes palëve”, thuhet në njoftim.