Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të mbingarkohet me kushtëzime të reja.
Duke komentuar kushtet e reja të paraqitura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Bruksel dje, Rohde theksoi se gjendja aktuale e dialogut është e vështirë.
Ai shprehu keqardhje për pamundësinë e një takimi trepalësh dhe tha se Serbia po vazhdon të shkelë Nenin 4 të Marrëveshjes Bazike, duke mos e pranuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa Kosova nuk është duke përparuar me Asociacionin.
Rohde theksoi se është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen në një marrëveshje të gjallë sërish me një frymë të mirëbesimit, dhe të mos e mbingarkojnë dialogun me kushte të reja. Ai përmendi se për të arritur sukses, Kurtit i duhet një vullnet minimal për kompromis, sidomos kur është në proces për të bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian.
Në lidhje me planin e fundit të BE-së, që parashikon fillimin e procedurave për Asociacionin nga Kosova dhe njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore nga Serbia, Rohde tha se Gjermania mbështet plotësisht përpjekjet e Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut.