Nga dita e sotme qytetarët e Shqipërisë me pasaporta të rregullta mund të udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit.
Ambasadori i Azerbajxhanit në vendin tonë, Anar Huseynov në një postim në rrjetin social X, bën me dije se “nga sot, edhe qytetarët e Shqipërisë me pasaporta të rregullta mund të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit pa vizë”.
Marrëveshja për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit, u nënshkrua më 1 mars 2024 në praninë e kryeministrit Edi Rama nga Besart Kadia, zëvendësministri i kohës për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Fariz Rzayev, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Azerbajxhanit.
Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit preku një tjetër dimension me vizitën e Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan këtë javë në Baku.
Në takimin e radhës mes Komitetit të Përbashkët u diskutua gjerësisht mbi mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në disa sektorë të rëndësishëm, duke nisur nga turizmi, shëndetësia, arsimi dhe deri tek digjitalizimi dhe konfirmuar angazhimin e përbashkët të të dyjave vendeve që në takimin e radhës të flitet mbi rezultate konkrete në të gjitha fushat ku janë evidentuar mundësitë për të punuar së bashku, me ekonominë në plan të parë.
Heqja e vizave krijon mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve, raportet e të cilave kanë shënuar një hov të rëndësishëm në forcimin konkret të bashkëpunimit në veçanti gjatë vitit të fundit, që shënoi edhe hapjen e ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë dhe në pritje këtë vjeshtë të hapjes edhe të ambasadës së Shqipërisë në Baku.