Skuqja, një metodë e lashtë gatimi e përdorur nga egjiptianët, por sot janë të paktë ata që me të vërtetë dinë të skuqin në mënyrë mjeshtërore.
Për të pasur ushqim të skuqur krokant, të lehtë dhe pa yndyrë, mjafton të ndiqni disa rregulla bazë. Ato fillojnë që nga zgjedhja e vajit, temperatura, e deri tek përdorimi i enëve të duhura.
Në këtë artikull AgroWeb.org ju njeh me disa këshilla për të skuqur sa më mirë ushqimet tuaja të preferuara.
Zgjidhni vajin e duhur
Rregulli themelor është të merret parasysh temperatura mbi të cilën vaji digjet. Sepse kur ai digjet, fillon të prodhojë tym dhe të lëshojë substanca të cilat janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit. Temperatura ideale për skuqje është midis 165° dhe 185°, ndaj edhe vajrat më të mira janë ata që i përkasin këtij klasifikimi.
Sasia e vajit dhe e ushqimit
Një element që mund të krijojë probleme është sasia e vajit që duhet përdorur dhe sasia e ushqimit që duhet skuqur. Teorikisht, sasia e vajit duhet të jetë 10 herë më e madhe se pesha e ushqimit. Mos u tej mbushni tiganin tuaj gjatë skuqjes sepse me shumë mundësi nuk do të skuqet në mënyrën më të mirë.
Përdorni enët e duhura (ndoshta edhe termometrin)
Për të skuqur në perfeksion, gjëja më e mirë që mund të bëni është të blini një termometër kuzhine. Në këtë mënyrë do të jeni gjithmonë të sigurt që të mos e kaloni pikën e djegies së vajit. E rëndësishme është të përdorni një tigan të mirë. Më të mirët për skuqje janë ato prej hekuri, me formë të gjerë, të thellë dhe buzë të drejta, sepse lejojnë një ngrohje më graduale të vajit. Por edhe tiganët prej alumini dhe bakri janë të mirë.
Çfarë të bëni nëse krijohet shkumë dhe yndyrë
Nëse del shkumë, mos u shqetësoni, temperatura e vajit është thjesht shumë e ulët. Hiqeni atë me një lugë dhe prisni që temperatura të rritet përsëri. Një tjetër efekt i një rënies së papritur të temperaturës së vajit është kur ushqimi tenton të thithë shumë më tepër yndyrë. E nëse temperatura e vajit fillon të rritet së tepërmi, nuk është e nevojshme të hidhni më shumë vaj për ta ulur atë, por është më mirë të vendosni një copë bukë.
Kripën shtojeni pas skuqjes
Nëse shtoni kripë para gatimit, ushqimi nuk do të jetë krokant, pasi kripa tenton të thithë ujë. Prandaj AgroWeb.org këshillon ta shtoni menjëherë pas skuqjes, pa u ftohur ende ushqimi.
Ushqimet e mbushura
Skuqja e një ushqimi të mbushur është padyshim më e vështirë sepse nuk është vetëm vaji që e gatuan atë, por edhe temperatura e krijuar brenda. Gjithmonë është më mirë të siguroheni që të keni mbyllur mirë skajet e ushqimit dhe të mos keni futur një mbushje shumë të lëngshme. Për më tepër, gjatë gatimit duhet ta ktheni shumë shpesh, për të shmangur gatimin vetëm nga njëra anë.