Ministria e Mbrojtjes ka garantuar se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk do të mbesin pa ushqim.
Ministria në reagim ka thënë se të gjitha kazermat janë funksionale dhe se po shërbehet ushqim i ndryshëm, me produkte bazë që ministria thotë se përdoren në çdo shtëpi.
Përmes një komunikate, MM e ka cilësuar si propagandë atë që po raportohet tash e sa ditë në media dhe rrjete sociale, duke thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash.
Sipas tyre, s’ka mungesë të ushqimi, as cilësisë, por ka mungesë të stafit Teknik.
“Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Sutdentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”, thuhet në komunikatë.
Më tej, nga Ministria kanë folur edhe për letrën e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, drejtuar ministrit Ejup Maqedonci, duke thënë se kjo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm, ku raportohen vështirësitë që hasen gjatë rrugës.
“Ndërsa letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi. Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”, thuhet në komunikatë.