Të paktën 32 persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një sulmi vetëvrasës dhe të armatosur, në një plazh në kryeqytetin e Somalisë.
Sipas zëdhënësit të policisë, Abdifatah Adan Hassan, tha se po ashtu janë edhe rreth 63 persona të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike.
Pamjet treguan një numër trupash dhe njerëz të plagosur në lagjen Abdiaziz të Mogadishu.
Mediat lokale thonë se sulmi u krye nga militantët e Al-Shabab që kontrollojnë pjesë të mëdha të Somalisë jugore dhe qendrore.
Grupi në fjalë, është i lidhur me Al-Qaeda dhe ka zhvilluar një kryengritje brutale për gati 20 vjet kundër qeverisë së mbështetur nga OKB-ja në Somali.
Një dëshmitar okular i tha agjencisë së lajmeve AFP se njerëzit ishin në gjendje paniku, pasi “ishte e vështirë të dihej se çfarë po ndodhte sepse të shtënat filluan menjëherë pas shpërthimit”.
Abdilatif Ali tha se disa njerëz u përpoqën të fshiheshin, ndërsa të tjerët u përpoqën të largoheshin nga vendi.
“Pashë njerëz të plagosur në breg të plazhit. Njerëzit po bërtisnin në panik dhe ishte e vështirë të dalloja se kush ishte i vdekur dhe kush ishte ende gjallë”, shtoi ai.
Të paktën pesë persona ishin përgjegjës për sulmin.
Zëdhënësi i policisë tha se një sulmues hodhi veten në erë ndërsa tre të tjerë u vranë.
Njëri nga sulmuesit është arritur të kapet nga policia, theksoi ai para gazetarëve në Mogadishu. /BBC