Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi të hënën nga aleatët që të lejojnë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjata veprimi për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.
“Ukrainën e ndan vetëm një vendim nga ndalja e përparimit të ushtrisë ruse në vijën e frontit, dhe ne po presim partnerët tanë të vendosin për armët me rreze të gjata veprimi”, deklaroi Zelensky gjatë një fjalimi para ambasadorëve ukrainas.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Ukrainës kanë vendosur kufizime në përdorimin e armëve që i furnizojnë Kievin për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Zelensky gjithashtu informoi diplomatët se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e 92 vendbanimeve në rajonin Kursk të Rusisë dhe tani mbajnë nën kontroll një territor prej 1.250 kilometrash katrorë.
“Ushtarët ukrainas po vazhdojnë operacionet e mbrojtjes në zona të caktuara të rajonit Kursk”, tha Zelensky, duke shtuar se ky operacion është një investim i madh për lirimin e ukrainasve nga robëria ruse.
Më herët, Zelensky njoftoi në Telegram se forcat ukrainase po realizojnë synimet e tyre duke vazhduar inkursionin në Kursk, ndërsa Moska konfirmoi se Ukraina ka dëmtuar urën e tretë mbi lumin Sejm, një strukturë kyçe për lëvizjen e trupave ruse në rajon.
Komandanti i forcave ajrore ukrainase, Mykola Oleschuk, njoftoi më 18 gusht se forcat e tij kanë dëmtuar urën e dytë strategjike mbi Sejm, duke kufizuar kapacitetet furnizuese të Rusisë.
Analistët besojnë se shkatërrimi i urave mbi Sejm është një taktikë e rëndësishme për të forcuar pozitat ukrainase dhe për të penguar furnizimin e trupave ruse. Ukraina ka nisur një kundërofensivë të papritur në rajonin Kursk më 6 gusht, e cila ka çuar në zhvendosjen e më shumë se 120,000 njerëzve nga zona.
Lufta në Ukrainë ka filluar më 24 shkurt 2022, dhe ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve. Perëndimi ka reaguar ndaj Rusisë me sanksione të ashpra për të goditur ekonominë e saj.