Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut. Në akademinë përkujtimore, në 26 vjetorin e kësaj masakre, u theksua nevoja që gjykimi dhe ndëshkimi kriminelëve që vranë 45 civilë të pafajshëm në Reçak të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.
I pranishëm në këtë akademi ishte edhe ambasadori William Walker, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, që dokumentoi para botës gjenocidin serb në Kosovë.
Ai tha se masakra e Reçakut përfaqëson të kaluarën e tmerrshme që Serbia ka bërë në Kosovë, por edhe të ardhmen e ndritshme që do të ketë Kosova.
Walker para të pranishmëve tha se me kënaqësi ka pranuar kërkesën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për të marrë nënshtetësinë e Kosovës.
“Ju kërkoj falje që ky libër është publikuar sot, pas 26 viteve më vonë. Por jam shumë i kënaqur që ky libër u mundësua dhe jam i kënaqur që presidentja dhe kryeministri më kanë thënë se ky libër do të jetë një vlerë sa i përket rinisë së këtij vendi. Është shumë me rëndësi që ata të dëgjojnë përshkrimin tim për çka dhe pse kam marrë pjesë në atë ngjarje para 26 vitesh…Zakonisht vij të them atë çka mendoj për t’iu treguar njerëzve se çka ka ndodhur me 15 janar në vitin 1999. Sa herë jam këtu dua të them se Reçaku jo vetëm që përfaqëson këtë të kaluarën të tmerrshme ku serbët i kanë bërë gjëra të tmerrshme shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Për mua, Reçaku përfaqëson diçka shumë të ndritshme dhe është e ardhmja e Republikës së Kosovës… Dje presidentja dhe kryeministri më kërkuan nëse unë mund të bëhesha qytetar i Kosovës. Siç mund të merrni me mend, përgjigja për atë pyetje ishte natyrisht po. Unë me krenari do të varrosesha këtu në Reçak”, deklaroi ai.