Valon Aliu, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes E.C., në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të këtij viti, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe atë të kanosjes, ndërsa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.
“Jam i penduar sa i përket armëmbajtjes pa leje, ndjej keqardhje”, deklaroi i akuzuari Aliu.
Tutje, gjykata mori aktvendim për pranimin e fajësisë të deklaruar nga i akuzuari Aliu, sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje.
Pasi që i akuzuari nuk pranoi fajësinë për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Kanosje”, gjykata njoftohet mbrojtësin e të akuzuarit dhe i akuzuari se mund të paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktakuzën dhe kundërshtimin e provave në afat ligjor prej 30 ditëve.
Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 04.09 2024 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i pandehuri Aliu akuzohet se më 12 prill 2024, brenda Zyrës së Qendrës për Punë Sociale, (QPS) në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën kishte bashkëjetuar.
Në aktakuzë thuhet se, fillimisht në ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, i akuzuari e kishte marrë djalin e tij dhe e kishte dërguar në shtëpi për t’ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthente në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas 40 minutave kthehet pa fëmijë në QPS, ku fillimisht bisedon me zyrtaren e kësaj qendre, Q.Z, pastaj del përjashta ku në një lokal pret dhe rreth orës 14:40 minuta vëren tani të ndjerën E.C me vëllain e saj D.C, dhe para tyre në zyrën e QPS-së dhe posa aty mbërrin e ndjera së bashku me vëllain e saj, pas një fjalosje të shkurtër, nxjerr nga brezi armën dhe e qëllon të ndjerën E.C në kraharor.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, pastaj i akuzuari Aliu me dashje që ta privoi nga jeta kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarin D.C, të cilin e kishte goditur në krahun e djathtë, kurse pasi i dëmtuari duke mbledhur krahët instinktivisht është tkurr, e ndjera E. fillon të largohet në drejtim të dritareve e godet edhe një herë në gjoks dhe në fund e godet në anën e majtë të kokës 3cm mbi laprën e veshit, për pasojë e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Për këtë veprim, pandehuri Aliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par 1 nën par 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i njëjti akuzohet se në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoleta e tipit “ZORAKI M 2906-T” me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024, iu është konfiskuar nga Policia.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, i njëjti akuzohet se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht me përdorimin e armës e kishte kanos të dëmtuarën Q.Z, duke ia vendos armën në ballë dhe i drejtohet me fjalët “shuaj se të gjuj edhe ty“.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par 4 lidhur me par 2 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi/