Pas rreth 40 orësh kërkime, Faton Hajrizi është vrarë nga policia serbe gjatë ditës së djeshme. Identiteti i tij u konfirmua në mbrëmje dhe autoritetet serbe nuk u deklaruan se kur do të kthehet trupi i Fatonit në Kosovë.
Në një prononcim për TelegramNews, avokati Skënder Musa është shprehur se trupi i Fatonit duhet të kthehet në Kosovë sapo t’i mbaron Serbia procedurat ligjore, dhe se kthimi i trupit sipas tij është obligim ligjor.
“Trupi i Faton Hajrizit duhet të kthehet në Kosovë, institucionet e Serbisë janë të obliguara, që familjes t’ia dorëzojnë trupin e tij. Ajo duhet të bëhet çoftë përmes bashkëpunimit ndërkombëtarë, mirëpo së pari duhet të kryhen procedurat si obduksioni dhe procedurat ligjore dhe më pas trupi t’i kthehet familjes, pa marrë parasysh raportet që ka Kosova dhe Serbia. Ligjet e brendshme të Serbisë po edhe të çdo shteti ështe obligim që trupi t’i kthehet sa më shpejtë familjes, pra në afat sa më të shkurt kohor. Në këtë drejtim besoj që Serbia duhet të respektoj në radhë të parë legjislacionin e vet dhe konventat ndërkombëtare dhe nuk duhet të ketë burokraci sepse është cështje e ndjeshme”, tha Musa.
Avokati tutje theksoi se nëse trupi nuk kthehet tek familjarët e Fatonit konsiderohet si vepër penale dhe bie ndeshë me legjislacionin.
“Nuk ka ndodhë dhe nuk besoj që ka me ndodhë që ni shtet me refuzu me ja dorëzu familjarëve trupin e anëtarit të familjes dhe nuk besoj as tash që nga Serbia të mos i kthehet për shkak se konsiderohet e drejtë penale, përvec se është e drejtë penale sanksionohet edhe si e drejtë humane. Vrasjet e tilla pavarësisht se për çfare vepre akuzohet personi i vrarë, është obligim ligjor dhe me dispozita ligjore të Serbisë që trupi t’i kthehet familjarëve”, shtoi avokati. /TelegramNews.