Miratohet Projektligji i ri për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme sot në mbledhjen e 220 të Qeverisë së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme për këtë Projektligj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka sjellë projektligjin e ri me vërejtjet e adresuara të Gjykatës Kushtetuese.
“Për këtë çështje është votuar edhe një herë, në dhjetor të vitit 2021, pas kontestimit të ligjit nga partitë opozitare në Gjykatën Kushtetuese dhe pritjes së gjatë prej 17 muajsh për trajtim nga ky institucion, Ministria e Drejtësisë e ka sjellë para neve projektligjin e ri me vërjetjet e adresura të gjykatës për të dëshmuar edhe një herë seriozitetin dhe qëndrueshmërinë tonë për këtë nismë ligjore”, tha Kurti.
Më tej, kryeministri tha se byroja do ta ruaj pasurinë publike, shkruan Telegram News.
“Byroja do të jetë jetësimi i konceptit të konfiskimit civil si zotim i yni përveç se do ta ruaj pasurinë publike dhe do t’ia kthej shtetit njëkohësisht atë që është përfituar kundërligjshëm. Byroja gjithashtu do të shërbej edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, shtoi Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se konfirmimi për konfiskim civil është një nga triumfet më të mëdha.
“Siç kemi theksuar edhe më parë, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimmi se konfiskimi civil është kushtetues duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe propocional e korrupsionit në sektorin publik. Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për ata që abuzojnë me detyrën zyrtare”, tha Haxhiu.