Komuna e Preshevës do të udhëhiqet tani e tutje nga një kryetare femër, pasi Ardita Sinani është zgjedhur në këtë pozitë.
Lajmin e ka konfirmuar deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Më në fund, Presheva bën distancim nga bashkëpunimi me politikat e Vuçiqit”, ka shkruar Kamberi në rrjetet sociale.
Ardita Sinani, e cila ka shërbyer deri më tani si Këshilltare për Luginën e kryeministrit Albin Kurti, pritet të sjellë një frymë të re në drejtimin e Komunës së Preshevës.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook, e uroi Sinanin, duke thënë se fitorja bindëse në zgjedhjet e qeshorit ishte përcaktim i qartë i vullnetit të qytetarëve.
“Urimet më të sinqerta e të përzemërta Ardita Sinanit për detyren e re si Kryetare e Komunës së Preshevës, si dhe banorëve të saj për kryetaren e re të komunës së tyre. Fitorja bindëse në zgjedhjet e qeshorit ishte përcaktim i qartë i vullnetit të qytetarëve për komunën që duan dhe mandat i fuqishëm i Arditës për të udhëhequr e qeverisur në atë drejtim”.
“Bashkë me urimin për suksese dhe punë të mbarë në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive, shpreh gatishmërinë time dhe të qeverisë për bashkëpunim të afërt institucional në shërbim të Preshevës dhe qytetarëve atje pa dallim”, tha Kurti.
Zgjedhja e saj si kryetare shënon një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e femrave në politikë dhe për avancimin e çështjeve të shqiptarëve në këtë rajon.