Veturat që ishin përdorur nga grupi terrorist i Milan Radoiçiqit, në sulmin e shtatorit të kaluar, tashmë janë në përdorim nga institucionet tona. 34 veturat që ishin konfiskuar, tashmë i kanë kaluar njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës.
Gjithçka që kishin pasur me vete, terroristët pjesë e grupit që udhëhiqej nga Milan Radoiçiqi kishin lënë prapa derisa po iknin nga Kosova, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Përveç arsenalit të jashtëzakonshëm të armëve e municionit, prapa mbetën edhe 34 vetura të përdorur nga ta, duke përfshirë edhe vetura të blinduara.
Të njëjtat, nuk do të mbeten pa u shfrytëzuar.
Në fakt, tashmë ato janë në posedim të Policisë së Kosovës, dhe i janë ndarë njësive të ndryshme.
Këtë e kanë konfirmuar edhe vet ky institucion në një përgjigje për televizion.
“Policia e Kosovës ne te gjitha rastet dëshmitë/provat e konfiskuara përfshirë automjetet i trajton sipas kompetencës ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Pas përfundimit të proceduarave të parapara ligjore, në baze të vendimit të gjykatës kompetente dhe Agjencisë për administrimin e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara, automjetet iu dedikohen institucioneve shtetërore sipas nevojës, përfshirë edhe Policisë së Kosovës”, thuhet nga ana e PK-së.
Kjo gjë i është mundësuar Policisë e institucioneve tjera ndërmjet një ndryshim-plotësimi të ligjit përkatës të cilin e shpjegon avokati, Asdren Bytyqi.
“Pas plotësim-ndryshimit të ligjit për administrimin e pasurisë së konfiskuar ka të drejtë agjencia për administrimin e këtyre pasurive që të njëjtat të ja jep Qeverisë në shfrytëzim sipas kërkesave të saj, poashtu edhe dikastereve qeveritare apo edhe agjencive”, ka theksuar Bytyqi në RTV Dukagjini.