Kreu i Bordit të Zyrës së rregullatorit Energjisë Ymer Fejzullahu ka njoftuar se qytetarët serbë ende refuzojnë t’i nënshkruajnë kontratat me kompaninë serbe “Elektroserver”.
Realizimi i kontraktimit qytetar serb me kompaninë elektrike serbe “Elektroserver” në katër komunat e veriut të Kosovës, nuk ka shkuar sipas parashikimit të ZRRE-së.
Pritjet e kësaj të fundit janë që deri në fund të vitit, të përmbyllet procesi kontraktual mes qytetarëve serbë dhe kompanisë “Elektroserver” e cila ka marrë përsipër faturimin e energjisë në veri.
Fejzullahu ka thënë se kompania serbe, Elektrosever është duke kryer detyrimet në raport me KEDS-in dhe duke i paguar tarifat ZRrE-së.
“E kemi thënë edhe më herët se trendi nuk është sikur kemi pritur. Kemi trend pozitiv, në fakt një pjesë e madhe e konsumatorëve kanë nënshkruar kontratat me Elektroseverin, por është mirë me u ritheksu se Elektroseveri është duke kryer detyrimet në raport me KEDS-in apo duke paguar tarifat nga ana e ZRrE-së sa i përket tarifave të shfrytëzimit të rrjetit të ASSh-së gjithashtu edhe tarifat e KOST-it apo tarifat e OST-së dhe OT-së që për ne si ZRrE konsiderojmë që është një hap tutje…” ka thënë Fejzullahu dhe shtoi:
“Mbetet ende punë deri ne fund të vitit që edhe ata konsumatorë do fillojnë t’i nënshkruajnë kontratat me Elektroseverin dhe shpresojmë që nga viti i ardhshëm edhe ajo pjesë do të jetë 100 për qind si pjesa tjetër e Kosovës”, theksoi Fejzullahu.
Ndërkaq kryetari ka treguar edhe nga cilat tregje merret energjia gjë që është e kontraktuar nga Serbia.
“Ne e dimë se 100 për qind e asaj energjisë merret nga tregjet në rajon konkretisht nga Serbia sipas të dhënave që i kemi e gjithë energjia kalohet pothuajse përmes Malit të Zi dhe Kosovës, pra kjo energji është blerë dhe kontraktuar në tregun e Serbisë”, ka thënë Fejzullahu.
Eksperti për ekonomi, Jakup Bellaqa, në një prononcim për Telegrami.co u shpreh se kjo çështje është politizuar nga Serbia, derisa theksoi se ka munguar vullneti politik për ta përfunduar këtë çështje.
“Elektroserveri ka dështuar edhe pse institucionet e Kosovës në këtë rast ZRrE e ka licensuar dhe ia ka dhënë lejen mirëpo ka munguar vullneti politik dhe nuk e ka kryer punën e vet të cilën në bazë të ligjeve në fuqi dhe në këtë rast ZRrE duhet të merr masa ndaj Elektroserverit. Mirëpo sa i përket minoritetit serb në veri, faktikisht duhet ta kuptojnë që nuk duhet të bien pre e instrumenteve politike të Serbisë sepse rryma është produkt strategjik dhe jetësor dhe nuk duhet politizuar sepse është çështje ekonomike, është obligim qytetar për një anës strategjike të cilën e kanë shpenzuar dhe duhet ta paguajnë.”, theksoi Bellaqa.
Teksa edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Bashkim Mustafa, tha se marrëveshja nuk po zbatohet, derisa renditi pasojat ekonomike nga mos zbatimi i marrëveshjes.
“Zakonisht problemet politike gjithëherë po kanë pasoja ekonomike dhe si të tilla ato po reflektojnë në buxhetin e përgjithshëm tek vendi dhe tek kompania ekzistuese. Kompanitë që po shpërndajnë energji elektrike, kanë një rrjet të shpërndarjes me marrëveshje të mëhershme të cilat nuk janë zbatuar dhe është dëmtuar buxheti i Kosovës për qindra miliona euro dhe taksapaguesit qytetarë janë obliguar t’i mbulojnë këto humbje. Në të njëjtën kohë edhe marrëveshja e fundit nuk është duke u zbatuar dhe është duke u zvarritur nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit.”, u shpreh Mustafa në një prononcim për Telegramin.