Një grua shtatzënë ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fashtin Astrazub të Malishevës.
Rastin për TelegramNews e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se në aksident janë përfshirë dy automjete dhe një këmbësore.
“Policia ju ka përgjigjur rastit, ku të përfshirë kanë qenë dy automjete dhe një këmbësor (femër e moshës madhore). Këmbësorja është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, nga më vonë jemi njoftuar se e njëjta ka ndërruar jetë. Po ashtu edhe dy personave të tjerë (shoferëve) ju është ofruar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit të shtetit njëri nga shoferët është dërguar në mbajtje”, tha Elezaj.
Rastin e konfirmoi edhe Drejtori i QKUK-së, Naser Syla, i cili tha se gruaja kishte lëndime të rënda dhe ka vdekur.
“Pacientja është sjellë tek ne rreth orës 8:30. Për fat të keq lëndimet ishin aq të rënda dhe e njëjta nuk ka arritur të mbijetojë. Fatkeqësisht ajo ndërroi jetë rreth orës 11:30”, tha Syla. /TelegramNews/