Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën “Arbën Xhaferi”, konkretisht në kilometrin e 15-të të segmentit Lipjan – Ferizaj, si pasoj një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar.
Zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha, bëri të ditur për Telegram News, se rasti ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa shtoi se vdekjen e 44-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 14:00 në autostradën “Arbën Xhaferi” Lipjan -Ferizaj km-15 është shkaktuar aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjeteve transportuese (kombi) njëri në lëvizje, ndërsa tjetri i ndalur në shiritin emergjent. Si pasojë e aksidentit dyshohet se një person i gjinisë mashkull rreth 44 vjeçar ka vdekur ne vendin e ngjarjes, ku vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa katër persona kanë pësuar lëndime trupore të cilët janë transportuar ne QKUK-Prishtinë për tretman mjekësor. Ekipet relevante policore kanë dal ne vendin e aksidentit, përfshire edhe ato të hetimeve të cilat po punojnë në identifikimin e shkaqeve të aksidentit dhe rrethanave që e karakterizojnë. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori”, ka thënë Hoxha.
Po ashtu Hoxha për Telegram News, ka thënë se lidhur me shkaktimin e aksidentit në fjalë me urdhër të prokurorit një person i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.