Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ushtrimet e bëra disa javë më parë nga ushtarët e KFOR-it mbi Urën e Ibrit i ka parë si demonstrim të forcës dhe si një tërheqje vërejtje ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tij ushtrimet bëhen në kampe dhe jo në mes të qytetit.
Qalaj, po ashtu e ka parë edhe si presion dhe vendim të NATO-s për mos lejim të hapjes së urës nga institucionet e Kosovës pa u koordinuar me ata.
Ndërsa për kushtëzimin e Serbisë për ripërcaktim të kufijve për Mitrovicën e Veriut, me kusht që të hapet ura e Ibrit, Qalaj ka thënë se është thjesht mentalitet shovinist serb për shkak se kufijtë janë të përcaktuar.
“Nuk ka ripërcaktim të kufijve, kufijtë janë të përcaktuar dhe nuk shoh ndonjë nevojë, po ajo është mentaliteti shovenist serb, për shkak se për Serbinë Kosova ende është pjesë e Sebisë dhe po harrojnë se Kosova është shtet i pavarur por nuk duhet pritur asgjë tjetër nga shteti serb por neve duhet të në brengosë qasja e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Serbinë për shkak se janë duke e ledhatuar shumë”, ka shtuar ai.