Disa oficerë policie u plagosën sot në një valë të re dhune në rrugët e qyteteve britanike, në ditën e katërt të trazirave për vrasjen e tri vajzave në Anglinë veriperëndimore në fillim të kësaj jave.
Trazirat ku përfshihen qindra njerëz që protestojnë kundër emigrantëve kanë shpërthyer në disa qytete ditët e fundit, pas përhapjes së informacionit të rremë në rrjetet sociale se i dyshuari për masakrën ishte një emigrant radikal.
Policia tha se Axel Rudakubana, 17-vjeç, i dyshuari për therjen me thikë të së hënës në një klasë vallëzimi për fëmijë në Southport, ka lindur në kryeqytetin e Uellsit, Cardiff, por protestat kundër emigrantëve u shndërruan në dhunë dhe trazira.
Policia e Liverpoolit tha sot se disa oficerë u plagosën teksa po përpiqeshin të qetësonin një “rrëmujë serioze” në qendër të qytetit.
Autoritetet në qytetin lindor anglez Hull thanë se katër persona u arrestuan dhe tre oficerë policie u plagosën në protesta që përfshinin hedhjen e shisheve.
Të rinjtë me fytyra të mbuluara hodhën tulla mbi furgonët dhe oficerët e policisë. Policët vrapuan drejt grupit, por u tërhoqën kur tulla të tjera fluturuan drejt tyre. Në ishullin Mann, tulla po fluturonin kundër një grupi oficerësh policie nga të gjitha anët.
“Duket sikur policia është e rrethuar ndërsa protestuesit vrapojnë nëpër rrugët anësore. Fëmijët po hedhin tulla këtu,” tha Charlotte Leeming, korrespondente e Sky News nga Anglia veriore.
Kryeministri britanik Keir Starmer dënoi të djathtën ekstreme për dhunë dhe mbështeti policinë në marrjen e masave të ashpra duke thënë se nuk kishte asnjë justifikim për dhunën.
Luftimet dhe dhuna shpërthyen gjithashtu në Leeds dhe Mançester, si dhe në Liverpool, ku protestuesit hodhën vezë, kanaçe birre dhe bomba tymi. Në Belfast disa biznese raportuan dëme materiale. Disa njerëz u arrestuan në Londër.
Katër oficerë policie të plagosur në trazirat e së premtes mbrëma u dërguan në spital dhe 12 persona u arrestuan, u tha gazetarëve të shtunën kryeinspektori i Sunderland, Mark Hall.
Katër burra u arrestuan në Stoke-on-Trent pas trazirave. Policia mohoi pretendimet në rrjetet sociale se një person ishte therur me thikë. Gjithçka nisi nga një postim në X, ku autori pretendon se aziatikët goditën me thikë një person. Të paktën 30 protesta janë planifikuar në të gjithë Britaninë e Madhe këtë fundjavë, raporton BBC, me një numër kundër-protestash nga grupet kundër racizmit./Kp