Trajneri i ekipit olimpik të Francës, Thierry Henry e quajti sjelljen e disa prej lojtarëve të tij të papranueshme pasi fitorja e tyre 1:0 në çerekfinalen olimpike ndaj Argjentinës në Bordo përfundoi në një përleshje dhe një karton të kuq për mesfushorin Enzo Millot.
Franca nikoqire eliminoi Argjentinën të premten për t’u hakmarrë për humbjen e vendit në finalen e fundit të Kupës së Botës në një rivalitet të ashpër të nxitur së fundmi nga një video e lojtarëve argjentinas, që drejtonin thirrje raciste ndaj lojtarëve francezë, raporton KosovaPress.
Por, triumfi, falë një goli të minutës së 5’ nga Jean-Philippe Mateta, u njolloset pak çaste pas fishkëllimës së fundit, kur festimet franceze para lojtarëve argjentinas çuan në një përleshje të shkurtër në të cilën Millot mori një karton të kuq.
“Unë nuk jam dakord me atë që ndodhi në fund”, i tha Henry transmetuesit argjentinas “TyC Sports”.
“Një nga lojtarët e mi mori një karton të kuq dhe unë nuk e pranoj këtë, nuk duhet të ndodhë. Shkova t’i shtrëngoja dorën trajnerit argjentinas Javier Mascherano dhe, kur u ktheva, kishte ndodhur”, tha më tej Henry.
Përveç telasheve, Henry lavdëroi homologun e tij argjentinas Mascherano pas një ndeshjeje të ngushtë në të cilën amerikano-jugorët shtynë për të barazuar, por në fund u mbajtën nga prapavija franceze.
“Ne u përpoqëm të luanim mes linjave, por ishte shumë e vështirë”, tha ish-reprezentuesi francez.
“Argjentina kishte posedimin e topit dhe ne luajtëm në kundërsulm. Goli erdhi shpejt, nuk dua të them se kjo na trembi, por ne duhej të prisnim më shumë. Kjo nuk është aq e lehtë”, tha më tej Henry.
Franca do të luajë kundër Egjiptit të hënën për një vend në finale në një përpjekje për të fituar medaljen e parë të artë olimpike në 40 vjet./Kp