Në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka takuar homologun e saj nga Çekia, Jan Lipavsky, me të cilin diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit në ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Gërvalla dhe Lipavsky biseduan edhe rreth situatës së sigurisë në rajon, proceseve integruese euro-atlantike të Kosovës dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta ndërshtetërore mes vendeve pro-evropiane në raport me sfidat me të cilat po përballet Evropa dhe bota.
Ndryshe, Kosova dhe Çekia kanë ndërtuar marrëdhënie të mira diplomatike dhe miqësore si dy shtete të përkushtuara për siguri dhe stabilitet në rajon dhe Evropë.