Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka komentuar takimin e djeshëm në Bruksel të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi tha se u bë e qartë që gjatë takimit Serbia ka kërkuar ndryshimin e kufijve të Mitrovicës.
“Nga takimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me përfaqësuesin e Serbisë në Bruksel, u kuptua se Serbia, ndër të tjera, po kërkon ndryshimin e kufijve të Mitrovicës Veriore”, tha Gashi.
Më tej, deputeti tha se një gjë e tillë është e papranueshme dhe se ndryshimi i kufijëve paraqet rrezik.
“Kjo kërkesë është e papranueshme, pasi kufijtë e komunave janë tashmë të vendosur dhe ndryshimi i tyre paraqet rrezik për sigurinë dhe stabilitetin. Për më tepër, çdo ndryshim i kufijve komunal do të shkelte propozimin gjithpërfshirës të Pakos Ahtisaari”, shtoi Gashi. /TelegramNews/