Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me shërbimin e ushqimit për ushtrinë e vendit.
Tahiri përmes një postimi në Facebook thotë se gjendja është shqetësuese, por shton se qeveria e ardhshme e udhëhequr nga Bedri Hamza do të restauroj dëmet dhe pasojat e mëdha.
Postimi i tij:
Derisa kryeministri Kurti alarmon për rrezikun që vjen nga ushtria serbe dhe provokimet e tyre në distancën prej 50 metra nga vija kufitare e shtetit tonë, nga ana tjetër, komandanti i FSK-së paralajmëroi se problemet e shërbimit të ushqimit si dhe mungesa e personelit mund të qojnë në pezullimin e aktiviteteve të saj.
Kjo gjendje është jo vetëm shqetësuese por e papranueshme. Ushtria e Kosovës është krenaria e secilit qytetar dhe nuk duhet të neglizhohet e as të vihet në situata të tilla për shkak të paaftësisë së një qeverie.
Megjithatë, tashmë vetëm javët na ndajnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit përmes të cilave qeveria e ardhshme e udhëhequr nga Bedri Hamza do të restauroj dëmet dhe pasojat e mëdha.