Ministri i i Mbrojtjes nga Letonia, Andris Spruds, është njoftuar nga afër me zhvillimet rreth situatës në veri, pas sulmit terrorist të 29 nëntorit ku u sulmua kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Më zhvillimet në këtë pjesë të vendit e njoftoi nikoqiri i takimit, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, që sot homologun nga Letonia e priti me ceremoni të lartë shtetërore.
“Ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij rreth gjendjes në veri të vendit, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, si dhe rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, si shteti i vetëm që vazhdon të ruajë lidhje të afërta me Rusinë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se të dy ministrat theksuan dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, mbrojtjes totale, bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe promovimin e vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga sistemet autokratike.
Maqedonci e ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen që Letonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vizita e ministrit Sprūds shënon një hap tjetër të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Letonisë, duke reflektuar angazhimin e ndërsjellë për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Edhe ministri letonez ka folur për takimin që e pati me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, gjatë vizitës në Prishtinë.
Në një postim në platformën X, ai ka theksuar se Letonia është fuqimisht e përkushtuar për të marrë pjesë në NATO operacionet në Kosovë.
“Gjatë vizitës sime sot tek trupat e Letonisë, pata një takim produktiv me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci”.
“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon gjatë këtyre kohërave të trazuara mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, ka thënë Spruds.